Jeta duket se po i kthehet normalitet mes rrënojave të Alepos, tre muaj pas çlirimit të qytetit, megjithëse panorama duket mjaft sureale.
Banorët e qytetit dhe shumë të tjerë të kthyer pas përfundimit të luftës aty, tashmë po shfrytëzojnë qetësinë pas përfundimit të rrebeshit të predhave për të vizituar zona të qytetit ku nuk shkelnin prej vitesh. Një prej tyre është padyshim kështjella e Alepos, në zonën antike të qytetit, e cila gjatë viteve të fundit shërbeu si fortesë për forcat qeveritare. Tashmë ajo është hapur për publikun, që nuk ka hezituar ta vizitojë.
Përpara kështjellës gjendet një shesh i madh i hapur, ku banorët e qytetit mund të kalojnë kohën, një nga hapësirat e vetme të mbetura në qytet, pasi gjithçka tjetër është mbuluar nga rrënojat që rrethojnë edhe fortesën. Banorët e intervistuar nga mediat shmangin çdo koment politik, por të gjithë shprehen të lumtur që mund të dalin sërish nga shtëpitë dhe t’i kthehen jetës së vjetër pa pasur frikë se mund të vriten në çdo hap.
Shumë prej tyre thanë se kishin humbur rrugën dhe i ishte dashur kohë që të gjenin kështjellën, pasi bombardimet kanë shkatërruar shumë rrugë dhe peizazhi në qytet ka ndryshuar rrënjësisht. Bashkë me turistët janë shfaqur edhe shitësit ambulantë, të cilët më në fund mund të shesin diçka pa rrezikuar kokën.
Rindërtimi i zonës antike të Alepos dhe i gjithë qytetit sigurisht që do të kërkojë kohë, por për momentin banorët janë të kënaqur me qetësinë që i mungonte prej 6 vjetësh.
Top Channel