Sistemi ujitës, fermerët e Lushnjes kërkojnë zgjidhje

15/03/2017 00:00

Për shkak të mungesës së një sistemi vaditës në funksion të plotë, shumë fermerë të Lushnjes po  mbjellin kultura të cilat janë rezistente ndaj thatësirës.

Për 25 vjet, rrjeti kryesor i kanaleve kullues e ujitës nuk ka funksionuar si duhet. Pronaret e tokave presin realizimin e premtimeve që të marrë fund njëherë e mirë problemi i ujitjes së tokave.

“Unë kam mbjellë 18 dynym presh, unë duhet ta vadisë në këtë moment, e po them ‘o zot ishalla po bie shi”, thotë një fermer.

“Projektet janë shumë të mira po vënia e tyre në zbatim lë për të dëshiruar”, thotë një tjetër fermer.

Në Lushnje vetëm 20 % e sistemit vaditës është në funksion, duke lënë  mijëra hektarë tokë pa ujitje. Për zgjidhjen e këtij problemi  po investohet në projektin ujitës Murriz Thanë-Dega Tërbuf.

“Të prekura janë gjithsej gati 16.8 km kanale të para dhe 102 km kanale të dyta. Të gjitha cilësore, të shtruara me beton dhe do bëjmë të mundur që uji të shkojë në çdo parcelë fermeri në territorin e bashkisë Lushnje”, thotë Gentian Nushi, nënkryetar i bashkisë së Lushnjes.

Sistemi ujitës për rrethin e Lushnjes është ndërtuar në vitet ‘70. Pas viteve 90-të, 80% e rrjetit u dëmtua, dhe një pjesë u zaptua nga ndërtimet pa leje, ndërsa  pjesa tjetër u mbulua nga mbeturinat.

Rreth 500 km kanale ujitëse priten të rehabilitohen deri në shtator të këtij viti nga  financimet e  projekteve qeveritare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA