
Kreu i Kuvendit Ilir Meta u prit nga kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin e Finlandës, Ilka Kanerva.
Në takim u bisedua mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në kuadër të zhvillimeve globale. Z. Meta tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s mbështet partneritetin në rritje mes Finlandës dhe Aleancës së Traktatit të Atlantikut Verior.
Kreu i Kuvendit të Shqipëri i dorëzoi z. Kanerva edhe titullin “Për merita të veçanta civile” të akorduar nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Z. Kanerva ka qënë ish-president i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Motivacioni i këtij titulli është “për kontributin e tij të çmuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Finlandës, njohjen më të mirë të kulturës, traditave dhe historisë së popullit shqiptar në Finlandë, si dhe për ndihmesën ndaj bashkësisë shqiptare që jeton atje”.
“Fryma e bashkëpunimit na ka shoqëruar në çdo hap dhe ka qenë kënaqësi e madhe për mua që të mbështes miqtë shqiptarë në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e organizmave ndërkombëtarë”, tha z. Kanerva.
Top Channel