Basha: Në shesh derisa të ikë Rama

13/03/2017 11:45

Opozita do ta ndalë qëndrimin e saj në çadrën e protestës vetëm pas largimit të kryeministrit Edi Rama. Ndërsa komentoi në ditën e 24 të protestës shkarkimin e ministrave Tahiri dhe Beqja, Lulzim Basha tha kërkesa e demokratëve mbetet vetëm një: garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme përmes qeverisë teknike me mbështetje të gjerë politike.

“Ne e dimë se Saimir Tahiri shërbeu denjësisht për kriminalizimin e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, çka solli kanabizimin e vendit dhe ngritjen e kriminelëve në fron. Ilir Beqaj shërbeu përulësisht për krimin më të rëndë, shpenzimin e parave të taksapaguesve shqiptarë që duhet shkonin për shëndetin e të sëmurëve, e pacientëve, e familjarëve tanë, e fëmijëve tanë në xhepat e dy apo tre oligarkëve të lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin. Sa nuk është vonë, mos u fshih pas dorëheqjeve dhe shkarkimeve fasadë të shërbëtorëve të tu. Ndaj flijimi i tyre, largimi i çirakëve, jo vetëm nuk na shtendos nga qëndrimi që kemi mbajtur, por na inkurajon për t’i shkuar deri në fund betejës që kemi nisur”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha tha se në republikën e re, opozita do të ketë një rol të ri.

“Në Republikën e Re, opozita e re do të ketë rolin e shenjtë të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit të mazhorancës së re, përmes të drejtave institucionale, përmes një Parlamenti që funksionon, përmes një Kushtetute që mundëson kontrollin dhe balancën reale të pushtetit, përmes një përfaqësimi të vërtetë të qytetarëve që do të thotë jo noter i kryeministrit, por noter i qytetarëve dhe ditë për ditë, përballë kryeministrit e përballë ekzekutivit. Kjo është detyra e Parlamentit të ri në Republikën e Re”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA