Veliaj: Paratë e parkimit me SMS shkojnë për gjelbërimin

11/03/2017 00:00

Çdo qindarkë e parkimit me mesazh do të shkojë për pemë dhe gjelbërim, është shprehur kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Është një mënyrë fantastike se si garantohet parkimi për qytetarët dhe një mundësi oër financimin e projektit të Pyllit Orbital. Çdo qindarkë që shpenzohet për parkimin publik në Tiranë, do ta shpenzojmë për të mbjellë sa më shumë pemë. Pemët që shikoni në sfond dhe shumë pemë të tjera këtë vit do të mundësohen falë çdo pagese të parkimit publik me SMS. Ndaj inkurajoj qytetarët jo vetëm të përdorin sa më shumë transportin publik, por ata që përdorin makinat të parkojnë me sms në numrin 50500. Veç parkimit, kështu paguajnë edhe një pemë që do ta mbjellim në Tiranë”, tha Veliaj.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka nisur fazën e dytë të pyllëzimit të parkut, ku vetëm në muajin mars janë parashikuar të mbillen rreth 2 mijë pemë të llojeve të ndryshme.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Parku i Liqenit të Farkës po bëhet vendi i dytë më tërheqës, pas atij të Liqenit të Tiranës.

“Teksa qytetarët shijojnë Parkun e Liqenit të Tiranës, kemi filluar një punë intensive në parqet e tjera që rrethojnë kryeqytetin. Jemi duke punuar në Parkun e Farkës, po mbjellim 2 mijë pemë, çka do ta bëjë këtë hapësirë vendin më tërheqës pas Parkut të Liqenit të Tiranës. Po ashtu, do të jetë një valvul shkarkimi për njësitë 1 dhe 2, për njësinë e Farkës dhe zonën rurale të Tiranës, nga Petrela, Mulleti e Bërzhita”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai shtoi se përveç mbjelljeve që po bëhen në parkun e Liqenit të Farkës, po punohet paralelisht edhe në disa pjesë të tjera të asaj që në Planin e Përgjithshëm Vendor njihet si Pylli Orbital, ndërsa ka ftuar qytetarët që të kontribuojnë në këtë drejtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA