Gorishti i rrezikuar nga nafta; Banorët: Ajri dhe uji i ndotur

10/03/2017 00:00

Zona naftë nxjerrëse e Gorishtit në Bashkine Selenicë prej disa vitesh është e rrezikuar nga ndotja që shkaktojnë puset e naftës.

Më i prekur është fshati Mertiraj ku si pasojë e gazrave që çlirohen në ajër si dhe ujërat e ndotur që dalin nga nëntoka banorët ankohen për mosreagim si nga kompanitë, por edhe shteti.

“Ky ambient që ne jetojmë është tejet i ndotur dhe çdo gjë që del nga nëntoka derdhet në lumin e Vjosës dhe më pas në det pa asnjë lloj kriteri, duke dëmtuar jo vetëm, ne, njerëzit e zonës, por tokat tona, bagetitë, deri lumin Vjosë dhe detin. Askush nuk ka ardhur për ta parë nga afër këtë situatë, ku përditë po ngordhin bagëtitë, por rrezikon seriozisht dhe jetët e banorëve”, shprehet Gëzim Kocira.

Kryetari i fshatit, Klodjan Ruçi thotë se kjo zone është tejet e kontaminuar si nga ajri ashtu dhe nga toka.

 “Në ajër janë gazrat helmuese dhe në tokë janë mbeturinat nëntokësore që  helmojnë bagëtitë, të cilat kullosin në këto toka, po ashtu dhe jeta e banorëve të kësaj zone është gjithmonë dhe në rrezik nga ajri që thithin, ai ngre shqetësim për këtë gjendje alarmante, pasi nuk është interesuar askush për këta banorë, të cilët nuk kalojnë moshën 60 vjeçare nga ndotja që ka në këtë zonë”, tha Klodjan Ruçi.

Bashkia Selenice nëpërmjet specialistëve të mjedisit ka dërguar gjithë dokumentacionin në institucionet përkatëse, por ende nuk ka asnjë reagim.

“Nëse nuk do të ketë reagim nga institucionet qendrore, bashkia e Selenicës do të ndërhyjë për pezullimin e punës në këto puse”, shprehet Klevis Bedinaj, specialist i mjedisit në Bashkinë Selenicë.

Top Channel