Fondet e investimit; Në rënie tendenca për të investuar kursimet

10/03/2017 00:00

Tendenca e qytetarëve për t’i transferuar paratë nga depozitat bankare tek fondet e investimeve në kërkim të fitimeve më të larta duket se është dobësuar gjatë vitit të kaluar.

Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i mbikëqyrjes financiare tregojnë se pas disa vitesh rritje të shpejtë, asetet e fondeve të investimeve u rrudhën me 2.3 për qind në vitin 2016.

Fondet e investimeve janë institucione financiare, ku qytetarët mund të investojnë kursimet e tyre. Këto fonde mbikëqyren në mënyrë rigoroze nga shteti përmes AMF-së dhe ofrojnë fitime më të larta për qytetarët se sa depozitat bankare apo bonot e thesarit. Por ndryshe nga depozitat bankare, paratë e investuara në fondet e investimit nuk garantohen nga qeveria në rast të një krize të mundshme financiare.

Sipas ligjit, qeveria garanton 100 për qind çdo depozitë bankare deri në 2.5 milionë lekë, ndërsa për fondet e investimeve kjo garanci nuk ofrohet.

Fondet e investimeve nisën të lulëzojnë veçanërisht pas vitit 2012, ku për shkak të rënies së madhe të interesave për depozitat dhe bonot e thesarit, një pjesë e qytetarëve i zhvendosen kursimet tek këto instrumente.

Sipas AMF, paratë e depozituara në fondet e investimeve u katërfishuan në vetëm katër vjet duke arritur në 67 miliardë lekë në vitin 2015. Por pas këtij piku, rritja e shpejtë e fondeve është ndërprerë dhe vitin e kaluar ato u rrudhën me 1.6 miliardë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA