Shkarkohet Shehi, LSI voton kundër

09/03/2017 00:00

Të enjten e ardhshme, nëse opozita vijon bojkotin në Parlament, do të jetë prova e radhës nëse mazhoranca e majtë konfirmon kourumin prej 71 deputetësh për të hedhur në votim projektvendimin e Komisionit të Ekonomisë për shkarkimin e  drejtores së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkelejda Shehi, e cila u propzua të shkarkohet nga Kuvendi edhe si anëtare bordi.

Të hënën e kaluar, Partia Socialiste nuk arriti që të miratojë projektvendimin për shkarkimin e Shehut, sepse në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, munguan deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke bërë të pamundur kuorumin e nevojshëm për vijimin e mbledhjes.

Në mbledhjen e së enjtes, dy deputetët e aleatit strategjik të socialistëve, Gjovalin Kadeli dhe Gledion Rehovica u paraqitën, por votuan kundër, ndërsa socialistët me shumicë votash miratuan projektvendimin që duhet të marrë edhe votat në seancë plenare.

Vota e LSI-së, sipas deputetit Kadeli, vendoset të martën por…

“Veprime të tilla të nxituara nuk i shërbejnë situatës politike. Nëse LSI do të votojë në Kuvend projektvendimin për shkarkimin e zonjës Shehi do të vendoset të martën në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Ka institucione të tjera ku drejtuesit  duhen ndryshuar menjëherë. Së shpejti do të jap emra dhe fakte sesi veprohet në këto institucione, ku ekonomia e vendit po rrënohet çdo ditë”, tha deputeti i LSI-së.

Ndërsa Kadeli flet pa emra për drejtues të tjerë institucionesh që duhen shkarkuar si të korruptuar dhe mafiozë të veshur me pushtet, kryetari Braçe pranon se edhe ai ka vërejtje të mëdha për drejtues institucionesh, por do të flasë më vonë, ashtu si zoti Kadeli, me fakte dhe letra.

Braçe është optimist për numrin 71 të enjten e Parlamentit.

“Nuk mendoj se ka ndonjë problem në sallën e Kuvendit nga pikëpamja numerike. Unë kam vërejtjet më të mëdha sesa zoti Kadelli për një grusht institucionesh që duhet të përmbushin detyrën e tyre në funksion të ligjit dhe interesit publik”, tha Braçe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA