
“Fati i Kosovës dhe i ushtrisë së saj nuk mund të mbetet peng i Serbisë”, Presidenti Hashim Thaçi ishte mjaft i qartë në konferencën për shtyp në reagim të shqetësimeve të ngritura më herët nga SHBA dhe NATO për transformimin e FSK në ushtri pa votat e deputetëve serbë.
Thaçi mbrojti ligjshmërinë e projektligjit që i ka dorëzuar kuvendit, ndërsa shtoi se krijimi i ushtrisë me ndryshimet kushtetuese të kërkuara edhe nga komuniteti ndërkombëtar, është i pamundur.
Presidenti Thaçi vijoi duke thënë se nëse dikush mendon se Kosova duhet të koordinohet me Serbinë, kjo kohë tashmë ka kaluar.
Thaçi theksoi se SHBA dhe NATO nuk janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës, por kanë rezervat e tyre vetëm për ndryshimet kushtetuese. Sipas Thaçit NATO-ja dhe partnerët ndërkombëtarë duhet ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces, e jo ta ndëshkojnë, vetëm sepse s’është Serbia dakord.
Top Channel