Bota do të ishte një vend më i mirë për gratë nëse ato do të kishin akses në vende pune më të mira. Ky është rezultati i një vëzhgimi mbi gratë dhe burrat në 10 vende në Evropë, Amerikë, Afrikë dhe Azi, i kryer nga fondacioni Thomson Reuters.
Para marshimeve të 8 marsit, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, fondacioni ka pyetur rreth 100 persona në Britani, Itali, SHBA, Etiopi, Kenia, Senegal, Indi, Tajlandë, Brazil dhe Kolumbi, për çka e konsideronin ata sfidën më të madhe për gratë. Përgjigjet varionin nga shqetësimet për dhunën kundër grave e deri tek ndarja e pabarabartë e punëve të shtëpisë, por shqetësimi më i madh ishte punësimi, që gratë të kenë akses të barabartë tek vendet e punës, pagesa të barabarta dhe fleksibilitet për të kombinuar punën me rritjen e fëmijëve.
“Për çdo grua, të ketë një jetë më të mirë do të thotë të kenë një punë më të mirë. Kjo do ta bënte jetën më të mirë”, thotë një 44-vjeçare në Bangkok.
Secili vend ka specifikat e veta. Ndërsa në Senegal, Kenia, Etiopi apo Indi, jeta për gratë është shumë e vështirë dhe vendet e punës për to mungojnë në masë të madhe, në Britani, Itali, SHBA etj., cilësia e këtij vendi pune apo paga bëjnë dallimin mes gruas dhe burrit.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, në shkallë globale numri i grave që punojnë është më i vogël se i burrave. Ndërkohë që sipas Bankës Botërore, në pjesën më të madhe të vendeve gratë paguhen më pak se burrat, 60 deri në 75% më pak. Gratë kanë po ashtu përgjegjësi jo proporcionale edhe përsa i takon punës së papaguar, i dedikojnë 3 orë më shumë se burrat në ditë punëve të shtëpisë dhe kujdesen 10 herë më shumë për fëmijët dhe të moshuarit.
Ndërkohë, edhe dhuna ndaj grave mbetet një shqetësim kryesor, me Indinë ku krimet e raportuara kundër grave janë rritur me një të tretën nga viti 2011 deri në vitin 2015. Në Brazil ndërkohë studimet tregojnë se një grua vritet çdo dy orë dhe sulmohet çdo 15 sekonda.
Top Channel