
Këtë 8 mars nis rritja e pagave, e cila shkon deri në 10 përqind. Përfitues janë punonjësit e administratës, arsimtarët të cilët do marrin më shumë deri në 3850 mijë lekë në muaj. Përfitues janë edhe punonjësit e sistemit shëndetësor si dhe administrata vendore.
Ahmetaj tha se rritja vjen si rezultat i reformave.
“Duke filluar nga sot jetësohet rritja e pagës 10 përqind për punonjësit e administratës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kuvendin, administrata e Presidentit, ministritë e të tjera”, deklaroi ministri i Financave.
Rritja pagash përfitojnë edhe arsimtarët. Për mësuesit e shkollave të mesme pagat rriten me 3850 lekë në muaj, ndërsa për ata të shkollave 9-vjeçare shtesa varion nga 3350 lekë në muaj deri më 3550 lekë në muaj.
“Nga ky vendim përfitojnë 31.370 punonjës të sistemit arsimor, që shoqërohet me rritjen e pagave në sistemin e arsimit të lartë me 10 deri në 12 përqind”, sqaroi Ahmetaj.
Për kategoritë e tjera të sektorit publik, pagat rriten nga 7 deri në 10 përqind.
“Rritja e pagave me 10 përqind në sistemin shëndetësor, përfitojnë 18 mijë nëpunës dhe një rritje prej 7 përqind e administratës për njësitë vendore”, tha ministri i Financave.
Sipas Ahmetajt, fondi që Qeveria ka akorduar për rritjen e pagave dhe pensioneve këtë vit është më e madhi në 25 vjet.
“Vendimi i sotëm është një shprehje e drejtpërdrejtë e një realiteti të patjetërsueshëm në të cilin ka hyrë vendi si rezultat i reformave të vështira, por të suksesshme të ndërmarra në 3 vjet e gjysmë, si rezultat po ashtu, i konsolidimit të rritjes ekonomike”, tha Ahmetaj.
Top Channel