Ndjekje nëpër çatitë e Romës, kapen 2 trafikantët shqiptarë

07/03/2017 00:00

Një ndjekje e ngjashme me atë të një filmi është verifikuar nëpër çatitë e lagjes “Borghesiana” të Romës, mes karabinierëve dhe dy trafikantëve shqiptarë.

Ndjekja, siç raportojnë mediat e vendit fqinj, ka zgjatur paksa por në fund ka shkuar në favor të ushtarakëve, që kanë vënë në pranga dy të rinjtë 22 dhe 23 vjeç, nën akuzën e posedimit të lëndëve narkotike, me qëllim shpërndarjen dhe armëmbajtje pa leje.

Arratija ka nisur në momentin kur karabinierët kanë mbërritur në banesën e tyre. Dy trafikantët janë ngjitur në papafingo dhe prej andej kanë nisur të vrapojnë nëpër çatitë e shtëpive. Më pas, kur e kanë kuptuar që s’kishin nga t’ia mbanin janë hedhur në një pishinë.

Pasi i kanë arrestuar, karabinierët kanë kontrolluar banesën e dy të rinjve, në të cilën kanë gjetur 240 kg marijuanë të ndarë në qese të ndryshme, si dhe 50 gramë kokainë, peshore, një pistoletë dhe mbi 20 mijë euro në kartëmonedha.

Hetuesit kanë deklaruar se, sasia e marijuanës e hedhur në treg do të kishte kapur vlerën e mbi 1 milion euro.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel