Drejtësia e bllokuar, Felaj: Pa komisionet e vettingut nuk ecet para

06/03/2017 00:00

Bllokimi i komisioneve të vettingut do të sjellë pasoja në të gjithë reformën në drejtësi, duke penguar krijimin e institucioneve të tjera që pasojnë, ndër të cilat Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Keshilli i ri i Lartë i Drejtësisë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), apo Byroja Kombëtare e Hetimit.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj ka ftuar deputetët e opozitës të kontribuojnë në luftën ndaj korrupsionit duke votuar komisionet e vettingut.

“Absolutisht. Vettingu është thembra e Akilit e gjithë reformës në drejtësi, prandaj dhe nxitja që po i bëjmë opinionit publik është kaq e madhe. Nuk mund të ecim përpara me ngritjen e institucioneve të reja në drejtësi nëse nuk ngrihen trupat e vettingut për të treja komisionet, komisioni i verifikimit dhe dy komisionet përgjegjëse, si dhe komisioni i rivlerësimit dhe kolegji i apelimit”, ka deklaruar Felaj.

Krahas bllokimit institucional në Parlament, vonesa për vettingun përbën një pengesë edhe në rrugën e integrimit evropian, si kushti kryesor që Shqipëria të marrë një datë zyrtare për hapjen e negociatave me BE-në.

“Zbatimi i vettingut, fillimi i krijimit të kushteve të domosdoshme për të ndjerë pasojat e para të reformës në drejtësi janë parakusht për fillimin e bisedimeve. Shqipëria ka një shans përpara këtë vjeshtë dhe topi është në fushën tonë. Fusha ka disa aktorë, ne po bëjmë detyrat tona dhe shpresojmë që PD do ta ndajë çadrën nga interesi kombëtar”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Top Channel