
Fitorja e Juventus, 3-1 përballë Napolit, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë, ka shkaktuar një “mal” me polemika, për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në fushë.
Napoletanët nuk janë aspak dakord me dy penalltitë e akorduara nga arbitri Valeri, në favor të juventinëve, në pjesën e dytë.
“Është e turpshme. Janë vendime të turpshme, që i bëjnë keq futbollit. Nuk ishte as penalltia e parë dhe as e dyta, u pa qartësisht. Nuk dëshironim të thyenim heshtjen për shtyp, por duhet të komplimentojmë djemtë, të cilët dhanë maksimumin, edhe pse u ndëshkuan nga arbitri. Dybala largon topin nga këmba dhe shkon e kërkon kontaktin me Koulibaly, Reina i heq topin Cuadrados dhe të dyja këto janë penallti. Vendime të turpshme”, u shpreh drejtori sportiv i Napolit, Giuntoli, menjëherë pas ndeshjes.
Mjaft i nervozuar u shfaq edhe portieri spanjoll i Napolit, Pepe Reina.
“Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë , por në pjesën e dytë arbitri shkatërroi gjithçka me vendimet e tij të turpshme. Unë i hoqa topin Cuadrados dhe ajo penallti ishte inekzistente, ndërkohë që askush nuk flet për faullin ndaj Albiol. Nëse na jepej ajo penallti, nuk do të mund të niste kundërsulmi i tyre”, tha i zemëruar, Reina.
Sipas portierit spanjoll, e pa e gjithë Italia dhe bota se si ndeshja u vendos nga vendimet tendencioze të arbitrit dhe kjo ishte një ngjarje shumë e rëndë për futbollin.
Ndërsa mbrojtësi Lorenco Tonelli zgjodhi Twitter-in për të shprehur zhgënjimin dhe zemërimin e tij, duke shkruar: “Një Skandal”.
Top Channel