FMN: Ndalëm krizën. Programi i suksesshëm, por qeveria të vijojë reformat

01/03/2017 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi vlerësimin zyrtar për mbylljen e marrëveshjes trevjeçare me Shqipërinë. FMN e cilëson programin një sukses, i cili sipas saj bëri të mundur ndaljen e krizës dhe rikthimin e rritjes ekonomike.

“Programi e ka vendosur Shqipërinë në një rrugë të qëndrueshme rimëkëmbje me financa publike të shëndosha”, thuhet në dokument.

Sipas dokumentit, programi trevjeçar bëri të mundur shpejtimin e rritjes ekonomike nga 1 për qind në 2013-n në 3.4 për qind vitin e kaluar. Për të njëjtën periudhë deficitit buxhetor dhe kreditë e këqija u ulën ndjeshëm, ndërsa borxhi publik është vendosur në trajektore rënëse.

“Falë angazhimit të autoriteteve shqiptare, ne mundëm të mbështesim reforma kritike për rritjen ekonomike, edhe pse në një ambient të vështirë global”.

FMN përmend reformën e financave publike, atë të pensioneve si arritje të rëndësishme, por edhe reformën në energji, të cilën e quan një sukses të jashtëzakonshëm.  

Por pavarësisht këtyre arritjeve, fondi thotë se puna nuk ka përfunduar ende ndaj reformat duhet të vazhdojnë. FMN i sugjeron qeverisë të reformojë taksën e pronave, të ulë borxhin publik deri në 60 për qind brenda 2019-ës si dhe të shtyjë përpara reformën në drejtësi dhe atë për uljen e kredive të këqija.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA