
Kreu i qeverisë zgjodhi të japë disa shembuj të vendimeve të gjykatave për të përshkruar gjendjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Edi Rama takoi sipërmarrësit me të cilët ndau shqetësimet për korrupsionin, i cili, siç tha ai, ka sjellë dëme të jashtëzakonshme për buxhetin dhe pronat publike. Mos miratimi i vettingut, theksoi ai, do të vërë në rrezik serioz rritjen ekonomike të vendit.
“Kjo rritje e mëtejshme kalon përmes shembjes së sistemit të vjetër të drejtësisë. Kalon përmes goditjes së këtyre gjykatësve dhe prokurorëve që e kanë shkatërruar bazën e shtetit shqiptar për 25 vjet me vendime të tilla”, deklaroi Rama.
Rama e cilësoi vettingu nje proces aspak politik. “Vettingu nuk është një çështje politike, nuk është as çështje partiake, nuk është një çështje interesash të pjesshme, por është një çështje e një interesi të madh kombëtar, që këta mjeshtrat prej 20 e ca vitesh e kthyen drejtësinë në tregun më të madh e që tani duhet të zhduken nga rruga e këtij populli dhe e sipërmarrësve të këtij vendi”, tha Rama.
Nga takimi me kryeministrin përfaqësues të biznesit apeluan për implementimin e reformës në drejtësi.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, përfshirë edhe opozitën, që të angazhohen në mënyrë konstruktive për implementimin e reformës në drejtësi. Dhe këtë detyrë dhe këtë përgjegjësi ndaj gjeneratës së re e ka pikërisht kjo klasë politike që udhëheq dhe drejton vendin sot”, apeloi biznesmeni Luan Bregasi.
Top Channel