Pakti i Mirëqenies. Klosi: Angazhim për moshën e tretë

28/02/2017 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, nënshkroi ditën e martë Paktin e Mirëqenies Sociale me 6 kryetarët e bashkive të jugut.

Si rrjedhojë e reformës administrative, për herë të parë, shërbimet për njerëzit në nevojë do t’i takojnë bashkive, jo më qeverisë.

“Në Vlorë, një bashki me më shumë se 100 000 banorë, megjithëse kemi 2270 persona me aftësi të kufizuar dhe 750 familje me ndihmë ekonomike, kemi vetëm 7 shërbime sociale. Pra, një diferencë shumë e madhe nga ajo çfarë duhet të arrijmë. Prandaj jemi në këtë pakt, për të kuptuar kush janë përgjegjësitë e pushtetit qendror dhe atij lokal”, tha Klosi.

Ministri Klosi u ndal edhe tek shërbimet ndaj moshës së tretë dhe rritjes së pensioneve: “Nesër është data 1 mars, dita kur pensionistët do të kenë një vlerësim të ri të pensioneve të tyre. Më shumë se 600 000 pensionistë do të marrin një riindeksim të pensioneve, rritja më e madhe e ndodhur ndonjëherë në vendin tonë”.

Top Channel