Gaz ka, para’ jo. Gazifikimi kushton 295 milionë euro

28/02/2017 00:00

Masterplani i gazit ka nxjerrë kostot dhe gjurmët konkrete për tre linjat kryesore të transmetimit dhe shpërndarjes nga gazsjellësi TAP në tregun shqiptar.

Linja e parë e transmetimit është ajo që lidh stacionin e Fierit me TEC-in e Vlorës me një gjatësi prej 40 kilometrash. Gazsjellësi kushton 15 milionë euro, kurse për përfshirjen e rrjetit të shpërndarjes të qytetit të Vlorës duhen 32 milionë euro të tjera.

Linja e dytë e transmetimit është ajo Fier-Ballsh me një kosto 11 milionë euro. Përfituese kryesore do të jetë industria e naftës, kurse rrjeti shpërndarjes për qytetarët kushton 69 milionë euro.

Projekti i fundit i rëndësishëm është linja e transmetimit për Tiranën dhe Durrësin, që kushton rreth 11 milionë euro. Për këtë segment duhet detajuar rrjeti i shpërndarjes për zonat e banimit.

Këto linja të transmetimit të gazit mund të ndërtohen në një periudhë afatshkurtër prej 3 vitesh, kurse financimi i tyre mbetet për t’u përcaktuar.

 “Do të gjehet modaliteti i duhur nëse do të investohen nga shoqeria AlbGaz, e clia është shoqëria e re e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit, apo partneritet me shoqëri të tjera, apo duke marrë kredi nga institucionet ndërkombëtare financiare. Kemi kuadrin ligjor të gatshëm dhe tani fillon puna për gjetjen e tyre”, thotë drejtori i Hidrokarbureve në Mei, Dritan Spahiu.

Masterplani i gazit ka llogaritur nevojat e vendit për gaz natyror deri në vitin 2040. Janë bërë vlerësimet mjedisore. Si burim kryesor furnizmi është gazsjellësi TAP, kurse gazsjellësi tjetër Adriatiko-Jonian me plan për t’u ndërtuar dhe që do të çojë gazin nga stacioni i Fierit drejt Malit të Zi dhe Kroacisë pritet të jetë shtylla kryesore transmetimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA