
Kryetari i PD, Lulzim Basha, në fjalimin e sotëm në çadrën e protestës së opozitës ka deklaruar se, kauza e saj po njihet dhe po merr mbështetje të madhe jo vetëm popullore, por dhe ndërkombëtare.
“Sepse është kauza e drejtë e një populli i cili refuzon të vazhdojë të qëndrojë siç ka qëndruar këto tre vite e gjysmë, nën zgjedhën e krimit, nën zgjedhën e drogës, nën zgjedhën e politikës së korruptuar, të bërë njësh me krimin dhe drogën”, ka thënë Basha.
Ai ka nënvizuar se, protestuesit e bashkuar me PD nuk kërkojnë asgjë më shumë dhe nuk pranojmë asgjë më pak se gjithçka që do të pranonte një qytetar i Europës: zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Zgjedhje pa krim, zgjedhje pa drogë. Dhe për këtë është e domosdoshme krijimi i një qeverie pa konflikt interesi me zgjedhjet. Ky kryeministër dhe kjo qeveri janë në konflikt interesi me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dhe kjo është arsyeja se pse duhet dhe do të largohet për t’i hapur rrugë një qeverie, e cila nuk ka konflikt interesi me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, e cila nuk është e lidhur me krimin, e cila nuk është e lidhur me drogën, e cila nuk është fajtore për sjelljen e kriminelëve në Parlament dhe në bashkitë e vendit, e cila nuk tregohet me gisht nga qytetarët, nga mbarë vendi dhe madje edhe nga vetë ministrat dhe ish-ministrat siç tregohet ky kryeministër”, ka vijuar Basha.
Këto deklarata ai i ka bërë gjatë një takimi me pensionistët, të cilëve sipas tij po u shkelet dinjiteti njerëzor.
“Ndaj jemi mbledhur sot këtu, të dëgjojmë nga ky parlamenti i vërtetë i republikës së re që po lind, problemet e vërteta që qeveria fasadë, parlamenti fasadë i republikës së krimit nuk do t’i dëgjojë. Sepse nuk do të ballafaqohet me dështimet e tyre. Premtuan rritje pensionesh. Premtuan se pensionistët shqiptarë do të kishin fuqi blerëse më të madhe. Sot realiteti flet vetë. Pensionet nuk janë rritur as sa vlera e indeksimit të inflacionit. E kuptoni se çfarë do të thotë kjo? E dini fare mirë se çfarë do të thotë kjo”, ka vijuar Basha.
Ai ka shtuar se, zgjidhja që PD u ofron shqiptarëve, me taksa të ulëta, me liri dhe mundësi për sipërmarrjen do ta rrisë ekonominë, do të ulë informalitetin dhe do të bëjë të mundur që vetëm brenda katër viteve të ardhshme pensionet e shqiptarëve të rriten 40%. “Të mos kemi pension nën 250 mijë lekë në muaj”, ka shtuar Basha.
Top Channel