Bankat kredi jashtë, 100 mld lekë bizneseve përtej kufijve

28/02/2017 00:00

Kredia për ekonominë vendase prej disa vitesh është në ngërç duke shënuar rritje të papërfillshme. Por teksa hezitojnë të japin hua për sipërmarrjet vendase, bankat shqiptare janë duke bërë biznes përtej kufijve.

Banka e Shqipërisë raportoi se në fund të janarit, kredia që bankat shqiptare kanë dhënë për bizneset e huaja çeku shifrën 100 miliardë lekë. Kjo është përafërsisht sa 18 për qind e totalit të kredisë për ekonominë dhe pjesa dërrmuese e saj ka shkuar në vendet fqinje të rajonit.

Kreditimi i bizneseve të huaja është segmenti me rritjen me të shpejtë i sistemit financiar dhe në tre vitet e fundit është shndërruar në biznesin kryesor të bankave shqiptare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, nga janari i 2014-ës deri në janar të këtij viti kredia për ekonominë vendase është rritur me vetëm 700 milionë lekë. Por për të njëjtën periudhë, kredia që bankat shqiptare kanë dhënë jashtë Shqipërisë është rritur me mbi 54 miliardë lekë, pra gati 80 herë më shumë. 

Përballë kërkesës së paktë për kredi në vend, bankat po kërkojnë fitime në tregje të reja. Për Bankën e Shqipërisë ky nuk përbën shqetësim. Sipas saj, bankat private kanë sasi të mëdha fondesh të lira, veçanërisht në valutë, ndaj dhënia e kredive jashtë nuk e pengon kreditimin e ekonomisë vendase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA