Të pafat dhe të papunë

27/02/2017 00:00

Alda Shalari, është 28 vjeç, e diplomuar me rezultate të shkëlqyera. Ajo nuk shikon, por kjo nuk e pengon ta bëjë punën njësoj me të tjerët.

“Kam ndjekur institutin e të verbërve, më pas liceun artistik, pastaj Universitetin e Arteve për Muzikologji”, thotë ajo.

Por, jo të gjithë kanë fatin e Aldës. Megjithëse numri i personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri është gati 170 mijë vetë, vetëm 101 prej tyre gjetën punë vitin e kaluar.

Një prej tyre, Jetmiri, i paralizuar që prej moshës 4-muajshe është në një realitet krejt tjetër nga Alda. Megjithëse ka studiuar për teknologji informacioni në shkollë profesionale me rezultate të mira, vazhdon të mos gjejë punë.

“Është e vështirë të gjesh punë po nuk pate mik në Shqipëri. Më shohin e më thonë; shiko se tij je si i paaftë”, tregon ai.

21-vjeçari nga Kukësi jeton me prindërit, gjithashtu të papunë. Në vend që të ishin ata një ndihmesë për të, ata presin fundin e muajit për të marrë pagesën e invaliditetit të Jetmirit.

“Dua të kem një punë. Dëshira e fundit më e madhe, me shpresën tek Zoti është që të çohem edhe unë këmbë si gjithë të tjerët”, thotë Jetmiri.

Qeveria thotë se vjet u dyfishua numri i të punësuarve me aftësi ndryshe. Por numri mbetet shumë ulët dhe Qeveria pranon këtë

“Nuk jemi me aksesueshmërinë aty ku duhet të jemi. S’po flas për kompanitë private, që janë akoma shumë larg, por po flas së pari për institucionet qendrore”

Ligji për aftësinë e kufizuar detyron që 1 në 25 persona të punësuar në sektorin publik dhe privat të jenë me aftësi ndryshe. Në mungesë të vullnetit të shtetit për të zbatuar ligjet që miraton vetë, biznesi privat tregohet me elastik.

“Jam gati që të marr në fushën e kontabilitetit ose të financës”, thotë Luan Bregasi.

Top Channel