Zharrëza, Rama: Zgjidhim problemin njëherë e mirë

26/02/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij javor ka folur për protestën e banorëve të Zharrëzës, duke garantuar se qeveria do të jetë në krahë të tyre.

Ndërsa theksoi se është ndaluar injektimi i ujit teknologjik, Rama bëri me dije se po punohet për të evidentuar të gjitha dëmet që kanë pësuar banesat e banorëve të Zharrëzës dhe pas kësaj atyre do t’u jepet edhe dëmshpërblimi i plotë.

“Qeveria e dëgjoi me vëmendje shqetësimin e tyre dhe angazhoi një ekspertizë dhe sipas tyre patjetër që lidhet me zonën. Qeveria ndaloi injektimet e ujit teknologjik dhe tani presim konkluzionin përfundimtar të ekspertizës. Banorët kanë qenë të braktisur nga shteti, do të zgjidhim njëherë e mirë problemet. Qeveria po punon për të evidentuar të gjitha dëmet dhe invetari është në përfundim. Kemi folur me kompaninë dhe po punohet për dëmshpërblimin sa më parë”, u shpreh kryeministri Rama.

 Më tej kryeministri Rama bëri fajtore për situatën në sektorin e naftës qeveritë e kaluara duke theksuar se më në fund po vendoset rregull.

“Qeveria po vendos rregull dhe shtet pas 25 vitesh anarki në sektorin e naftës”, u shpreh Rama ndërsa shtoi se “Përgjegjësit për atë që ka ndodhur në Zharrëz bëjnë sot avokatin e banorëve, por e kanë kot, se problemin nuk mund t’i zgjidhin ata që e kanë krijuar, por ne”.

Top Channel