Qendra e re Olimpike, FIBA inspekton projektin

23/02/2017 00:00

Prej shumë vitesh basketbolli shqiptar vuan infrastrukturën e rrënuar. Qendra e re Olimpike e ndërtuar pranë ish-kompleksit Dinamo është drejt përfundimit dhe për Shqipërinë është ambienti më i mirë i sporteve të sallave.

Ky është një lajm i mirë edhe për basketbollin, por jo vetëm, në të mund të organizohen kampionatet e  volejbollit, futsallës, mundje, peshëngritje e me radhë.

Federata Botërore e Basketbollit, ka dërguar në Shqipërisë për inspektim të infrastrukturës një nga këshilltarët kryesor të presidentit të FIBA-s, Lubomir Kotleba.

Në përfundim të vëzhgimit të këtyre ambienteve, vëzhguesi i FIBA-s, ka shumë kritika dhe vetëm një lajm pozitiv ndoshta, që Shqipëria mund të zhvillojë ndeshje në këtë impiant pa u shoqëruar më me gjoba për mosplotësim standardesh.

“Kur e pashë nga jashtë mbeta i habitur sepse ishte diçka shumë e bukur. Më pas në brendësi ka një sërë mangësirash dhe kjo është një surprizë jo e mirë. Megjithatë sa i përket gjobave dua të theksoj se FIBA nuk vendos gjoba, ajo është një organizatë fleksibël. Sigurisht që përdorimi i impiateve do të jetë i kufizuar. Por gjithsesi ju vazhdoni të luani ndeshje me skuadrën kombëtare dhe do të vazhdoni ta bëni një gjë të tillë”, u shpreh Lubomir Kotleba , vëzhgues i  FIBA-s.

Ndërkohë që sa i përket dëshirës së Federatës Shqiptare të Basketbollit, për të zhvilluar në vendin tonë aktivitete ndërkombëtare, qoftë edhe moshash, z.Kotleba refuzon publikisht.

“Përsa i përket organizimit të aktiviteteve ndërkombëtare, po e përsëris se për Shqipërinë do të jetë e vështirë që të presë ndonjë eveniment të rëndësishëm”, u shpreh Kotleba.

Sa i përket inaugurimit të kësaj qendre të re sportive në vendin tonë, zyrtarisht afati dy vjeçar përfundon më qershor të këtij viti, por gjithçka mund të jetë gati që në muajin maj.

Top Channel