
Në përpjekje për të përfituar nga oshilacionet që po shfaq Barcelona dhe me luksin e kryesimit edhe me dy ndeshje më shumë për të luajtur sesa rivalët, Reali i Madridit i qëndroi besnik përgatitjeve për sfidën e kësaj mesjave.
Formacioni “galaktik” do të luajë ndaj Valencias të mërkurën, në një 90-minutësh që tifozët shpresojnë ta zgjerojë hendekun që ndan ekipin mbretëror me ndjekësit në La Liga.
Sfida ndaj Valencias ishte programuar fillimisht në dhjetor, por u spostua për shkak të impenjimit të Realit në Botërorin e Klubeve, turne ku spanjollët dolën fitues. Tashmë Barcelona është vetëm një pikë larg dhe një fitore ndaj rivalëve të mesjavës do ta çonte ekipin kryeqytetas në 4 pikë larg.
Cristiano Ronaldo pritet të jetë në pozicionin e tij natyral në fushë, një lojtar të cilin edhe trajneri Zidane e vlerësoi publikisht për aftësitë shënuese.
“Ronaldo ka luajtur në të gjithë karrierën në një pozicion të njëjtë, por edhe nëse luan diku tjetër, sërish do të shënojë. Ai ka shënuar thuajse 400 gola, që është një shifër e pabesueshme”, tha trajneri i Realit.
Për sfidën me Valencian pritet të rikthehet kapiteni Ramos, pas dëmtimit, ndërsa do të ketë vend edhe për Benzema, Modriç dhe Navas. Reali i Madridit duhet të luajë ende edhe ndeshjen ndaj Celta Vigos, e një fitore hipotetike do t’i jepte mundësinë të distancohej më shumë me Barcelonën.
Top Channel