
Golden State arriti të hakmerret ndaj Memphis Grizzlies për dy humbjet e pësuara ndaj saj gjatë këtij sezoni. Warriors e mbylli këtë ndeshje me rezultatin 122-107 falë një formë shumë të mirë të shfaqur nga Draymond Green.
Ky i fundit hyri në historinë e NBA si i pari basketbollist që regjistron statistika dyshifrore të trefishta duke shënuar më pak se 10 pikë duke qenë se e mbylli ndeshjen me 4 pikë, por me 12 topa në tabelë, 10 assist dhe 10 rrëmbime topash.
Ai që pati detyrën e shënuesit për Golden State ishte Klay Thompson me 36 pikë të shënuara, ndërsa Kevin Durant e mbylli ndeshjen me 24 pikë.
San Antonio iu imponua Detroit teksa e mposhti në Auburn Hills me rezultatin 103-92. Skuadra e Spurs e kontrolloi këtë sfidë nga fillimi deri në fund madje në një moment krijoi një diferencë prej 19 pikësh kundrejt Pistons duke fituar qetësinë e duhur për të administruar rezultatin. Si zakonisht ishte Leonard ai që spikati për San Antonion me 32 pikë të shënuara në 33 minuta.
Në ndeshjet e tjera të NBA,Chicago humbi ndaj Phoenix 97-115, LA Lakers mundi Milwaukee 122-114 ndërsa Miami mposhti Brooklyn 108-99.
Top Channel