Basha: Rama vazhdon të mbrojë kriminelët dhe trafikantët

04/02/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se nuk po e zbaton ligjin e Dekriminalizimit pasi i nevojiten lidhjet me krimin e organizuar.

Në deklaratën e tij, Basha i është referuar faktit të shfaqjes së ministrit të Financave, Arben Ahmetaj në Kavajë përkrah ish-kryebashkiakut Roshi.

“Elvis Roshi, i dënuar në Itali dhe Zvicër për përdhunim dhe trafik droge, me mandat të hequr si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, mbetet i plotfuqishmi i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste të Kavajës dhe de fakto në krye të bashkisë së qytetit. Dalja e tij krah për krah me Arben Ahmetajn, si drejtues i fushatës zgjedhore në Kavajë është skandal politik dhe shkatërrim i procesit të dekriminalizmit. Me veprimin e tij, Edi Rama e ka bërë zero përpjekjen e mundimshme të opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë, por dhe vullnetin e popullit për hartimin dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, kjo është një tjetër dëshmi se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi dhe nga trafikantët e drogës.

“Prandaj nuk e do votimin dhe numërimin elektronik, sepse kështu nuk e ndihmon dot as ai krimin, as krimi atë. Zgjedhjet e lira janë fundi i krimit në politikë. Më 18 shkurt të ngrihemi bashkë për t’i prerë rrugën krimit në politikë”, ka shtuar Basha.

Top Channel