SHBA, sanksione të reja ndaj Iranit

03/02/2017 00:00

Paralajmërimet e bëra gjatë fundjavës, Administrata e Donald Trumpit i ka kthyer në realitet duke ndërmarrë hapat e parë konkrete kundër Iranit.

Departamenti i Thesarit njoftoi sanksione të reja kundër Republikës Islamike, pas testit të fundit balistik të zhvilluar prej saj. 13 individë preken nga sanksionet, e gjithashtu një duzinë kompanish të lidhura me programin balistik të Iranit.

“Irani po luan me zjarrin. Ata nuk e kuptojnë sesa i sjellshëm u tregua Obama ndaj tyre. Por unë jo”, kishte shkruar më herët në “Twitter” presidenti amerikan.

Por Teherani nuk duket i shqetësuar nga përshkallëzimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara. Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif iu përgjigj miliarderit të kthyer në politikan po në “Twitter”, duke thënë se Republika Islamike nuk iu druhej kërcënimeve të kota të një njeriu pa eksperiencë.

“Nuk do të nisnim kurrë një luftë, përveçse për vetëmbrojtje”, ishin fjalët e tij. Disa prej kompanive të sanksionuara gjenden në Emiratet e Bashkuara Arabe, Liban dhe Kinë. Më herët gjatë javës, këshilltari i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, Michael Flynn njoftoi se Uashingtoni i kishte tërhequr vëmendjen Iranit për testin balistik fundjavën e kaluar.

Të enjten, një grup prej gati 10 senatorësh i kërkoi presidentit amerikan përmes një letre, implementimin e plotë të sanksioneve ekzistuese dhe sanksione të reja shtesë ndaj Iranit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan përgëzoi administratën e Trumpit për reagimin e shpejtë e të vendosur, siç u shpreh.

Edhe pse nuk synojnë shkeljen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, të sigluar nga Obama, masat sinjalizojnë një qasje më agresive ndaj Teheranit. Tregjet i reflektuan menjëherë efektet e vendimit, me çmimin e naftës që pësoi rritje në bursë mëngjesin e së premtes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB