Linja që do të ndjekë administrata “Trump” ndaj Koresë së Veriut u bë e qartë përmes Sekretarit të ri të Mbrojtjes, James Mattis.
“Çdo përdorim i armëve bërthamore nga Peniani do të marrë prej nesh një përgjigje të fuqishme”, ishte deklarata e shefit të Pentagonit. Mattis i bëri këto komente nga Koreja e Jugut, ku ishte për një vizitë zyrtare, e ku siguroi Seulin mbi vazhdimësinë e mbështetjes së Uashingtonit.
“Çdo sulm ndaj Shteteve të Bashkuara ose ndaj aleatëve tanë do të zmbrapset me forcë, e çdo përdorim armësh bërthamore ka për të marre një kundërpërgjigje dërrmuese. Po e shohim që Koreja e Veriut vazhdon të lëshojë raketa, të zhvillojë programin e armëve bërthamore e të angazhohet në retorika dhe sjellje kërcënuese”, tha James Mattis, Sekretar amerikan i Mbrojtjes.
Sekretari rikonfimoi po kështu edhe planet për vendosjen e një sistemi amerikan të mbrojtjes raketore në këtë vend, më vonë gjatë vitit. Një grup aktivistësh koreano-jugorë u mblodhën përpara Ministrisë së Mbrojtjes për të protestuar si kundër vizitës së tij, ashtu edhe kundër sistemit “THAAD”.
Lëshimet e raketave dhe testet e vazhdueshme bërthamore të Veriut komunist e kanë vënë në alarm të gjithë rajonin. SHBA ruan një prani të qenësishme ushtarake në Korenë e Jugut dhe në Japoni, si pjesë e një marrëveshjeje të pasluftës. Në Korenë e Jugut ka rreth 28.500 ushtarakë amerikanë, për të cilët Seuli paguan gjysmën e kostos, apo 900 milionë dollarë në vit.
Top Channel