SHBA, Trump zgjedh pasuesin e Scalias në Gjykatën e Lartë

01/02/2017 08:10

Gjyqtari i Kolorados, Neil Gorsuch është kandidati i Donald Trumpit për vendin e mbetur vakant në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse konfirmohet nga Senati, 49-vjeçari do të zërë vendin e të ndjerit Antonin Scalia, konservatori i njohur që shërbente aty prej 30 vitesh.

Vitin e kaluar, Obama caktoi gjyqtarin e Apeleve, Merrick Garland, në vendin e tij, por Senati me shumicë republikane nuk pranoi ta shqyrtonte kandidaturën, me argumentin se emërimi duhej të vinte nga presidenti i ardhshëm i Amerikës.

“Kur gjykatësi Scalia ndërroi jetë papritur shkurtin e kaluar, i premtova popullit amerikan se po të zgjidhesha president do të gjeja zëvendësuesin më të mirë të tij në të gjithë vendin. Premtova të zgjedh dikë që respekton ligjin, që përfaqëson Kushtetutën tonë, që e do dokumentin tonë themeltar dhe që do ta interpretojë duke i qëndruar besnik asaj çfarë është shkruar aty”, tha Trump.

Gorsuch u emërua në vitin 2006 në Qarkun e 10 të Gjykatës së Apeleve nga George W. Bush. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer shprehu bindjen se, i përzgjedhuri i Trumpit do t’i lërë të kënaqur votuesit.

Por demokratët, që ndiejnë se iu është grabitur mazhoranca liberale në gjykatë, duken të vendosur ta kundërshtojnë këtë emërim, ndërsa me qindra vetë u mblodhën përpara Gjykatës së Lartë për të shprehur gjithashtu pakënaqësinë e tyre.

FOTO GALERI
1/1
Antonin Scalia, i dyti nga e majta në rreshtin e poshtëm

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA