I qetë dhe vetëm, Ilir Meta u shfaq para gazetarëve një ditë pasi dha bekimin për shkarkimin e Ylli Manjanit. Një ditë pas shkarkimit ai u distancua edhe nga akuzat e tij dhe i tregoi vetëm një derë: prokurorinë.
“Çdo ministër, ish-ministër, ish-kryeministër, deputet dhe ish-deputet, por edhe çdo qytetar që ka fakte për implikimin e cilitdo zyrtari, politikani apo qytetari me krimin e organizuar dhe korrupsionin duhet të ndjekë rrugën e drejtësisë”, deklaroi Meta.
I qetë apo i dorëzuar? Ilir Meta ka të njëjtën përgjigje për të gjithë: “Ilir Meta nuk dorëzohet para asnjë lloj presioni, as nga zoti Rama, as nga zoti Berisha, nga zoti Basha sigurisht që jo dhe as nga brenda LSI-së”.
Në shenjë paqeje me qeverinë ku bën pjesë, Meta mbështeti policinë, ndonëse kurseu komplimentet për Sajmir Tahirin. “Nuk kam asnjë koment”, tha Meta.
Me këtë të fundit si duket rëndon ende çështja e hapur, ajo e Klement Balilit, për të cilin kërkoi mbledhjen e Këshilit të Sigurisë Kombëtare për shkak të shqetësimit të ngritur, sipas tij, në Uashington.
“Ndaj e kam gjykuar këtë mbledhje si rrugën më të mirë jo për t’u marrë me gjyqe ndaj asnjë institucioni, por për të kuptuar rëndësinë dhe përgjegjësinë e gjithë institucioneve në funksionimin e tyre në bashkëpunim me njëri-tjetrin në vend dhe me agjencitë e partnerët ndërkombëtarë”, nënvizoi Meta.
Para gazetarëve, kreu i Kuvendit konfirmoi se epoka pas Manjanit do ishte një epokë paqeje në qeveri në muajt e fundit para fushatës. Por një çështje, megjithëse me qetësi, mbetet e pambyllur: ajo e vazhdimit të koalicionit.
Megjithëse një natë më parë nënkryetari i LSI, Luan Rama konfirmoi zyrtarisht vazhdimin e tij, vetë Meta foli për magjinë e numrit 71. Magji që mesa duket mund të përcaktojë qendrimin e LSI jo domosdoshmërisht përpara, por edhe paszgjedhjeve, me opsionin e daljes në koalicion më vete.
“Nëse PD në vitin 2009 do kishte 71 mandate, LSI nuk do të kishte hyrë në koalicion me të. Nëse sot kryeministri Edi Rama konfirmon 71 mandate në mënyrë legjitime apo jo, se i ka për të qeverisur Shqipërinë, LSI del në opozitë që tani. Nëse në 19 qershor Edi Rama ose Lulzim Basha konfirmojnë në koalicionet e tyre 71 mandate, LSI do të jetë në opozitë. LSI nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë shtojcë e asnjë partie politike, asnjë mazhorance që i ka 71 vota për të qeverisur vendin pa LSI-në”, tha Meta.
Top Channel