
Kombet e Bashkuara dënuan planet izraelite për të ndërtuar më shumë koloni në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Një zëdhënës i OKB-së tha se, veprimet e njëanshme janë pengesë për paqen dhe për zgjidhjen dyshtetërore.
Të martën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të ndërtojë 2.500 shtëpi të tjera në kolonitë hebraike, pasi ka nevoja për strehim. Ky është vendimi i dytë i këtij lloji nga izraelitët, që kur Presidenti Donald Trump u ul në Zyrën Ovale.
Zyrtarë palestinezë deklaruan se plani izraelit shkatërron çdo shpresë për paqen, pasi po merr tokë palestineze. Në këtë kuadër, Stephane Dujarriç, zëdhënësi i shefit të OKB-së, Antonio Guterres, tha se për këtë të fundit nuk ka “plan B”, nëse zgjidhja dyshtetërore nuk funksionon.
Ai tha se plani izraelit dëmton procesin e paqes, ndërsa nxiti palët që të nisin negociata për të realizuar projektin dyshtetëror, atë të Izraelit dhe Palestinës, duke njohur njëri-tjetrin.
Por me ardhjen në pushtet të Donald Trump, Izraeli ka marrë mjaft forcë dhe vazhdon planet e tij, nën sugjerimin se miliarderi njujorkez i shndërruar në politikan mund të jetë shumë më mbështetës se Barack Obama për kolonitë izraelite.
Top Channel