Vjedhja e kabllit elektrik ka lënë pa energji elektrike Termat Romake dhe një pjesë të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, në qendër të qytetit të Durrësit.
Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kabllin elektrik që furnizon me energji një nga monumentet më interesante të trashëgimisë sonë kulturore, Termat Romake, që u rikthyen në një objekt të vizitueshëm vetëm në qershor të vitit 2015, duke çelur dyert për turistët, po dhe për aktivitete të ndryshme artistiko-kulturore, duke kthyer në vëmendje pasurinë arkeologjike që ndodhet në themelet e Pallatit të Kulturës.
Pas konstatimit të vjedhjes, Policia e Durrësit ka kryer veprimet e para hetimore dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa pritet që punonjësit e mirëmbajtjes së linjës elektrike të zëvendësojnë kabllin e vjedhur dhe dëmin e shkaktuar në rrjet, duke kthyer normalitetin edhe në aktivitetin e një pjese të ambienteve të godinës, që ka mbetur pa energji në këtë fillimjavë.
Top Channel