Haga kërkon lirimin e gjykatësit të arrestuar në Turqi

18/01/2017 00:00

Juristët në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë i kërkojnë Turqisë të lërë të lirë gjykatësin Aydin Sedaf Akay, të arrestuar që prej muajit shtator nën pretendimin e lidhjeve me komplotistët e grushtit të shtetit.

Argumentet e tyre janë se, ndalimi i gjykatësit po vonon procesin gjyqësor të një politikani nga Ruanda të dënuar për gjenocid. Avokatët mbrojtës të këtij personi pretendojnë rishikim të çështjes.

Akay është vetëm një prej mijëra zyrtarëve turq të përfunduar në pranga, gjatë valës së ndalimeve që pasuan përpjekjen e korrikut të kaluar për të rrëzuar pushtetin në Turqi. Akay, diplomat dhe prej shumë kohësh gjykatës ndërkombëtar, ishte caktuar në panelin e gjyqtarëve që do të verifikojë nëse Augustin Ngirabatëare është dënuar gabimisht për gjenocid, duke marrë për këtë edhe një dënim prej 35 vitesh heqje lirie.

Avokati mbrojtës i Ngirabatëares e hodhi poshtë idenë e akuzës se Akay mund të zëvendësohet nga një gjyqtar tjetër.

“Nëse një shtet mund të arrestojë një gjykatës, e ai për pasojë të zëvendësohet, atëherë edhe gjykatës të tjerë mund të bëhen subjekte kufizimesh që çdo shtet mund të ndërmarrë ndaj tyre, duke i hequr imunitetin në një formë apo në një tjetër”, tha Peter Robinson, avokat mbrojtës.

Turqia ka qenë një prej mbështetëseve më të fuqishme të Gjykatës ndërkombëtare të ngritur në vitet ’90 për hetimin e krimeve masive gjatë luftrave në ish-Jugosllavi dhe gjenocidin në Ruandë. Por me Recep Tayyip Erdoganin president, anësia e saj ka nisur të bjerë gjithmonë e më shumë në sy.

Top Channel