Njerëzit që Donald Trump ka zgjedhur për dy prej posteve më të rëndësishme të kabinetit te tij, duket se nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me të sa i përket Rusisë.
Në seancën e konfirmimit të tij në senat, gjenerali James Mattis i emëruar si sekretar i mbrojtjes paralajmëroi se aleanca e NATO-s ishte nën kërcënimin më të rëndë që prej luftës së dytë botërore.
Ndërsa Mike Pompeo, i zgjedhuri i miliarderit për të drejtuar CIA-n pohoi se Moska përfaqësonte një kërcënim në Europë dhe se po vepronte në mënyrë agresive në Ukrainë.
Komentet e tyre përpara komitetit të senatit për Forcat e Armatosura dhe të Inteligjencës vijnë pas thirrjeve të Trumpit për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën.
“Ne duhet ta pranojmë se Putin po përpiqet ta shkatërrojë aleancën e NATO-s dhe duhet te marrim masa për të mbrojtur veten”, u shpreh James Mattis.
Nëse do të konfirmohet, Mattis, i mbiquajtur qen i çmendur për stilin e tij të luftimit do të jetë i pari ushtarak karriere që do të shërbejë si sekretar i mbrojtjes në më shumë se 50 vjet.
Ndërsa Pompeos ju desh të jepte llogari për krisjen e marrëdhënieve mes Presidentit të zgjedhur dhe komunitetit të inteligjencës. Ai i tha se kishte shumë besim tek shërbimet sekrete amerikane dhe u dakortësua me vlerësimet se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.
“Rusia veproi me agresivitet në Ukrainë, përbën një kërcënim për Europën dhe nuk po bën asgjë për të ndihmuar në mundjen e ISIS.
Më herët drejtoi i Inteligjencës Kombëtare James Clapper hodhi poshtë akuzat e Presidentit të zgjedhur Donald Trump se Inteligjenca amerikane i dha mediave përmbajtjen e raporteve sekrete se Rusia kishte materiale kompromentuese për të.
Top Channel