Maratona me biçikleta, mbi 100 amatorë nga Shqipëria e rajoni

12/01/2017 00:00

Temperaturat e ulura ndjeshëm nuk do t’i stepin të apasionuarit pas garave me biçikleta, të realizojnë për të dytin vit radhazi, maratonën çiklistike në variantin “Cross Country”. Të dielën, 100 garues nga Shqipëria e rajoni, do të sfidojnë të ftohtin duke u nisur nga sheshi “Nene Tereza”.

“Jemi 100 çiklistë që marrë pjesë në këtë garë dhe kjo bora sikur e zbukuroi më shumë, pasi edhe ajo pjesë që do të ishte baltë është dëborë. Gara do të mbahet mend më gjatë me dëborën që ka rënë”, thotë Edvin Kasimati, organizator i garës.

Gara do të ndahet në kategori: profesionistë të rinj nën 18 vjeç dhe profesionistë të rritur, amatorë të rinj e të rritur si edhe mjeshtra e veteranë. 

“Është një garë rreth 51 kilometra. Do të nisë ditën e diel në orën 10:00 të mëngjesit në Sheshin “Nënë Tereza”, shkon në Baldushk, Vaqarr dhe përfundon te diga e Liqenit Artificial”, tregon Kasimati.

Për fituesit do të ketë edhe shpërblime për disa kategori dhe për atë që do të quhet çiklisti më i mirë, i cili do t’ia dalë të përshkojë trajektoren e plotë, në kohën më të mirë.

Top Channel