
Kjo histori fillon që në vitet e hershme, me genocidin e popullit çam. Edhe pse është i ri, protagonisti i historisë tonë e ka dëgjuar me mijëra herë nga gjyshi i tij këtë ngjarje dhe di çdo vuajtje që shqiptarët kanë kaluar atje, prandaj për të është njësoj sikur t’i ketë përjetuar vetë.
Historinë e tij neve na e ka treguar një vajzë, e cila nuk dëshiron gjë tjetër veçse të plotësojë ëndrrën e njeriut të saj të zemrës. Ajo quhet Aleksandra, një vajzë e rritur në qytetin e Vlorës.
Aleksandra dhe Eluerti janë njohur në dhjetor të vitit 2014, krejt rastësisht sepse Eluerti është valltar njësoj si motra e saj dhe ata i zhvillonin provat në të njëjtën sallë. Eluertit i pëlqeu Aleksandra që në momentin e parë që e pa, ai shkonte gjithmonë më herët në prova për ta parë pak më shumë dhe gjithmonë ulej përballë saj. Por ndryshe nga ai, vëmendja e Aleksandrës shkonte vetëm për motrën dhe për asnjë tjetër.
Kjo ka qenë një periudhë shumë e keqe për të. Para pak kohësh Aleksandra kishte humbur vëllain e saj për shkak të një tumori dhe kjo ngjarje e ndryshoi tërësisht jetën e saj. Aleksandra u mbyll në vetëvete, nuk qeshte më sepse për të nuk ekzistonte më asgjë e bukur. Çdo gjë ishte bardhezi.
E vetmja gjë që donte ishte që të dilte mirë në çdo hap që hidhte sepse donte të ishte bija perfekte për prindërit e saj, donte të ishte gjithçka e mirë për ta tani që po kalonin këto ditë kaq të vështira. Dhe kështu e kalonte çdo ditë duke u përpjekur që të arrinte vetëm rezultate të shkëlqyera. Pavarësisht se e dinte që nuk do ta kishte të lehtë, Eluerti nuk u dorëzua.
Ai vazhdonte t’i shkruante vajzës që pëlqente aq shumë çdo ditë, derisa të merrte një përgjigje prej saj. Dhe kështu, duke folur herë pas here, Aleksandra filloi të afeksionohej pas djaloshit që po i rikthente buzëqeshjen. Ata filluan të takoheshin dhe të njiheshin më mirë. Për të ishte sikur Zoti t’i kishte dërguar dikë që do ta ndihmonte të kapërcente çdo vështirësi dhe çdo dhimbje. Fillimisht nuk e patën të lehtë, sepse prindërit nuk ishin dakord me lidhjen e tyre.
Atyre iu desh një vit e gjysmë që prindërit t’i pranonin si çift, por duke parë se lidhja e tyre nuk ishte diçka kalimtare nuk kishin se si të kundërshtonin. Sot Aleksandra dhe Eluerti kanë pothuajse 2 vite që e njohin njëri-tjetrin. Familja e Eluertit është një nga shumë prej familjeve shqiptare që kanë qenë pjesë e dëbimeve masive dhe që kanë kaluar vuajtje pa fund.
Gjyshi i tij ka ikur duke lënë pas një dëshirë të fundit, që të paktën një nga pasardhësit e tij të vizitojë edhe njëherë vendin e tyre në Çamëri. Eluerti është rritur duke dëgjuar se si të afërmit e tij kanë përjetuar çdo dhimbje dhe sytë e tij mbushen me lot sa herë që flet për këtë ngjarje. E për Aleksandrën ai është personi që e njohu në ditët më të vështira dhe që i qëndroi përkrah gjithmonë, duke e mbështetur, prandaj, përmes emisionit “Dua të të bëj të lumtur”, ajo realizoi ëndrrën e tij.
Top Channel