14 ushtarë turq u vranë në përleshjet e ashpra me militantët e Shtetit Islamik në Siri. Luftimet e së mërkurës u zhvilluan në qytetin Al-Bab, ku Turqia po ndihmon rebelët që ta marrin nga kontrolli i ISIS-it.
Zyrtarë turq bënë me dije se në përleshje u plagosën 33 ushtarë të tjerë. Këto luftime shënuan humbjet më të mëdha ushtarake turke në një ditë, që kur Ankaraja nisi operacionet e saj ushtarake në Siri në muajin gusht. Ushtria turke tha se në luftime, Shteti Islamik përdori shumë kamikazë dhe se mbi 130 militantë të këtij grupi terrorist u vranë, megjithëse ky bilanc nuk mund të vërtetohet në mënyrë të pavarur.
Ndërsa beteja për Alepon duket se tashmë është mbyllur në praktikë, pasi qyteti po bie në duart e qeverisë, lufta për qytetin Al-Bab është përshkallëzuar ndjeshëm. Ky qytet strategjik gjendet 20 km larg kufirit turk dhe është objektivi i ofensivës turke prej 4 muajsh, e cila synon të zmbrapsë forcat e ISIS-it dhe ato kurde.
Sipas Turqisë, operacionet e saj i kanë shkaktuar humbje të mëdha Shtetit Islamik dhe se marrja e qytetit është çështje ditësh. Sidoqoftë, nuk është e qartë sa thellë në Siri është e gatshme të ndërhyjë Turqia dhe nëse do të luajë ndonjë rol në operacionin e ardhshëm të dëbimit të ISIS-it nga kryeqyteti i tij “de facto“, në Raka.
Top Channel