Meksikë, 31 të vdekur nga shpërthimi në tregun e fishekzjarreve

21/12/2016 00:00

Një shpërthim në një treg fishekzjarresh në qytetin e Meksikos i ka marrë jetën të paktën 31 personave. Mbi 70 të tjerë janë plagosur, nga shpërthimi i regjistruar në tregun e fishekzjarreve “San Pablito” në Tultepec, rreth 32 km në periferi të qytetit.

Videot nga vendi i ngjarjes tregonin një numër të madh fishekzjarresh që shpërthenin në ajër dhe përhapnin flakë. Dhjetëra ambulanca dhe makina policie ndodheshin në zonë. Shkaku i shpërthimit nuk është përcaktuar ende, ndërsa autoritetet po punojnë për këtë.

Banorëve lokalë u është kërkuar të evitojnë zonën dhe t’i mbajnë rrugët të hapura. Guvernatori i shtetit të Meksikos tha se, disa fëmijë kishin pësuar diegie në më shumë se 90 për qind të trupave dhe se po dërgohen në qytetin amerikan Galveston, në Teksas, për trajtim të specializuar.

Fishekzjarret vazhduan të ndizeshin edhe pas shpërthimit fillestar, ndërsa tymi i zi kishte mbuluar zonën. Fotot e policisë apo personelit mjekësor në vendngjarje tregonin njerëz të lënduar në mes të barakave të shkatërruara të tregut.

Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto u ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave dhe u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve. Ai tha gjithashtu se pjesëtarët e forcave të mbrojtjes po asistonin në këtë emergjencë.

Tregu i San Pablitos u dëmtua rëndë nga një zjarr i ngjashëm në shtator të vitit 2005, kur një seri shpërthimesh u regjistruan vetëm pak para nisjes së festimeve për ditën e Pavarësisë së vendit, e si pasojë u plagosën dhjetëra persona.

FOTO GALERI
1/26

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA