Francë, shefja e FMN-së shpallet fajtore për neglizhencë. Nuk dënohet

19/12/2016 00:00

Një gjykatë franceze ka shpallur fajtore për neglizhencë shefen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, por theksoi se nuk do ta penalizonte atë. Si ish-ministre e Financave në Francë, në vitin 2008, ajo miratoi dëmshpërblimin prej 404 milionë eurosh ndaj biznesmenit Bernard Tapie, për shitjen e diskutueshme të firmës së drejtuar prej tij.

Lagarde nuk ka qenë e pranishme në Gjykatën e Parisit gjatë vendimmarrjes, pasi iu desh të largohej për në Uashington. Të premten ajo deklaroi para gjyqit se kishte vepruar gjithnjë me mirëbesim. Ndërkohë, avokati i saj tha se ekipi i tij do të shqyrtojë apelimin kundër vendimit të së hënës.

Rasti në fjalë i ka rrënjët në vitet ’90, kur Tapie ishte aksioneri kryesor në kompaninë e produkteve sportive “Adidas”. Pasi nisi karrierën politike dhe u bë një prej ministrave të kabinetit të qeverisë socialiste të François Mitterrand në vitin 1992, Tapie u desh t’i shiste aksionet.

Në vitin 1993 ai paditi “Credit Lyonnais”, një bankë shtetërore që menaxhoi shitjen, duke pretenduar se banka e kishte mashtruar atë me qëllim zhvlerësimin e firmës.

Në vitin 2007, çështja afatgjatë u referua nga Lagarde në Gjykatën e Arbitrazhit, me një vendim që do të ishte detyrues. Një panel prej 3 anëtarësh në Arbitrazh vendosi kompensimin e kryeaksionerit një vit më vonë, duke shkaktuar një pakënaqësi publike.

Vitin e kaluar, duke shtuar edhe 8 vite të tjera betejash ligjore, një gjykatë franceze vendosi se Tapie nuk e kishte të drejtën e kompensimit dhe se duhej të rikthente shumën prej 404 milionë eurosh.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta