Motra e ‘viktimës’ së Epstein denoncoi abuzimet para 27 vitesh, FBI heshti. Zbulohen dosjet Autoritetet turke kanë arrestuar 118 zyrtarë të Partisë Demokratike Popullore (HDP) në opozitë, gjatë operacioneve të zhvilluara nga ekipet policore antiterrorizëm në 5 provinca të vendit, si pjesë e hetimit mbi sulmet vdekjeprurëse të së shtunës në Stamboll.
Drejtues provincialë dhe të degëve të qarqeve të HDP-së janë prangosur në Stamboll, Ankara, Adana, Manisa dhe Mersin, pas zhvillimit të një sërë bastisjesh në zyrat e tyre gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne.
Numri më i madh i të ndaluarve ka qenë në Mersin, me 51 anëtarë të “HDP”-së. Në Stamboll numërohen 20 persona të ndaluar, mes të cilëve edhe kreu i “HDP”-së për provincën e Stambollit, ndërsa në Ankara numërohen 17 drejtues, përfshi edhe kreun provincial të partisë, Ibrahim Binici.
Të dyshuarit akuzohen për pjesëmarrje apo anëtarësim në Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe për përhapjen e propagandës terroriste.
Ndërkohë, numri i viktimave nga sulmet vdekjeprurëse me bomba në Stamboll është rritur në 44, sipas asaj që njoftoi ministri i Shëndetësisë, Recep Akdag, ditën e sotme. Mes tyre ishin edhe 36 oficerë policie.
“Fajkonjtë për Lirinë e Kurdistanit” (TAK), një nëndegë e lidhur me “PKK”-në mori përsipër përgjegjësinë e sulmeve të 11 dhjetorit, vetëm pak pasi kishte përfunduar ndeshja e futbollit mes Beshiktashit dhe Bursasporit në stadiumin e ndërtuar rishtazi të ekipit nga Stambolli.
“Hakmarrja” e presidentit Erdogan, i cili premtoi se askush nuk do t’ia hidhte paq me atë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ka tejkaluar gjithashtu kufijtë e vendit. Avionët luftarakë turq kanë goditur dhe shkatërruar edhe 12 objektiva të “PKK”-së gjatë operacioneve nga ajri në rajonin verior Zap të Irakut. Gjatë operacionit 50-minutësh janë kryer 24 goditje dhe mes objektivave të shkatërruara janë një qendër komandimi dhe një depo armatimesh.
Top Channel