Shkup, votojnë shqiptarët. Nis pa probleme procesi në komunën e Çairit

11/12/2016 00:00

Në shkollën “Adem Jashari”, në Çair të Shkupit, ka nisur rregullisht procesi i votimit, aty ku ndodhen 18 qendra votimi. Llogaritet që 80 për qind e votuesve të jenë shqiptarë.

Edhe pse me temperaturat afër zeros, kjo gjë nuk i ka penguar banorët e Çairit për t’iu drejtuar që në orët e para qendrave të votimit. Procesi duket se ka nisur rregullisht në të 18 qendrat, që gjenden në këtë shkollë.

“Procesi i votimit në vendvotimin tonë u hap pa asnjë problem në orën 7. Votimi është duke vijuar normalisht dhe shpresojmë që i tillë të vazhdojë deri në fund, në orën 19:00, kur edhe të mbyllet vendvotimi”, tha një prej komisionerëve zgjedhorë.

Votuesit shqiptarë presin nga këto zgjedhje ndryshimin, një ndryshim i munguar.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, ndaj dhe do të votojmë për të pritur ndryshimin e shumëpritur për shqiptarët. Ma merr mendja se do të jemi më mirë”, tha një votues.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë. Nëse nuk ka ndryshim, nuk ka kurrgjë”, deklaroi një tjetër votues.

Shqiptarët e Çairit janë zgjuar këtë të dielë për të shkuar në votime, me shpresën se diçka do të ndryshojë në jetën e tyre. Por për këtë duhet pritur ora 19.

Top Channel