Bastiset shtëpia e Balilit, qindra forca speciale në jug

10/12/2016 00:00

Mbi 200 forca policore janë vënë në lëvizje që prej mesnatës së të premtes, në një operacion të gjerë për ndalimin e Klemend Balilit, i cilësuar nga autoritetet greke si “Eskobari i Ballkanit”.

Kontrolle të shumta janë kryer në Sarandë, Gjirokastër dhe Delvinë, ku dyshohet se fshihet 43-vjeçari i shumëkërkuar nga autoritet helene.

Po ashtu në fshatin Stjar, policia bastisi edhe banesën e tij. Por, sipas të vëllait, Klemendi ndodhet në Tiranë.

“Klemeneti këtu ka qenë tërë kohës. Sot u nis në Tiranë për dokumente, sepse për atë nuk ekziston urdhërarresti. Kjo është e gjitha një lojë politike”, ka thënë Hektor Balili.

Agjentë civilë po mbajnë nën vëzhgim edhe ambiente të tjera ku dyshohet se mund të strehohet Balili, përfshirë disa zona të kryeqytetit.

Për kapjen e tij policia ka tentuar të marrë informacione edhe nga të afërmit e 43-vjeçarit, i cili në bazë të të dhënave në sistemin TIMS rezulton brenda kufijëve të territorit shqiptar.

Por kjo nuk është hera e parë që policia tenton të ndalojë të shumëkërkuarin. Në fund të tetorit ai i shpëtoi një operacioni në Qafë Gjashtë.

Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar 2 procedime penale ndaj ish-drejtorit të Transportit, atë të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe hetimin pasuror në bazë të ligjit Antimafia.

Burime nga policia nuk përjashtojnë mundësinë që Balili të ketë dalë nga territori shqiptar në mënyrë ilegale, përmes Kufirit të Gjelbër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB