Ishujt Solomon goditen nga tërmeti, hiqet alarmi për cunam

08/12/2016 00:00

Një tërmet i fuqishëm ka goditur ishujt Solomon në jug të Paqësorit, duke shkaktuar edhe lëshimin e alarmit për cunam në një zonë të gjerë, që pak çaste më vonë është hequr.

Tërmeti me magnitudë 7.8 e kishte epiqendrën rreth 70 km larg Kirakiras, në juglindje të Papua Guinesë së Re dhe verilindje të Australisë. Lëkundja sizmike u ndie rreth orës 18:40 (04:40 me orën lokale) dhe u pasua nga dy lëkundje të tjera më të lehta, me magnitudë 5.5 dhe 5.1.

Shumë zona banimi janë evakuuar nga njerëzit, të cilët janë ngjitur drejt vendeve më të larta, megjithatë ende nuk bëhet e ditur për dëmtime apo viktima në njerëz.

Përdorues të rrjeteve sociale njoftuan për ndërprerje të energjisë elektrike në kryeqytetin Honiara, ndërkohë që disa prej tyre raportojnë se nuk kanë dëgjuar sirenat për cunam.

Dallgë cunami me një lartësi nga 1-3 metra mbi nivelin e detit konsideroheshin si të mundshme gjatë zonave bregdetare të ishujve Solomon. Të tilla dallgë shkatërruese dyshohej se do të godisnin edhe pjesë të Vanuatu, Papua Guinea e Re, New Caledonia, Tuvalu apo Kosrae, brenda 3 orësh, por duket se diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, një paralajmërim për cunami në Hauai është anuluar gjithashtu. Ishujt Solomon ndodhen në “Unazën e Zjarrtë”, të njohur për aktivitete sizmike në Paqësor.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta