Tahiri: Nuk kishte urdhër mbrojtjeje për Liljana Rukajn

05/12/2016 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka deklaruar këtë të hënë se, gruaja e vrarë nga bashkëshorti në Fier nuk ka pasur urdhër mbrojtjeje, ndryshe nga sa pretendon deputetja e PD, Majlinda Bregu.

“Deputetja Majlinda Bregu ka publikuar sot një urdhër mbrojtje për Liljana Rukaj, viktimën e dhunës së bashkëshortit në Fier. Pas denoncimit të së ndjerës, policia ka bërë strehimin e saj në banesën e vëllait të saj dhe ka kërkuar menjëherë pranë Gjykatës Fier lëshimin e urdhërit të mbrojtjes”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se, “ligji e do që vendimi i gjykatës për urdhër mbrojtje të dërgohet brenda 24 orësh pranë disa institucioneve, një ndër të cilave edhe Policia”.

“Ky urdhër mbrojtje nuk është dërguar kurrë në polici dhe kam frikë në asnjë institucion tjetër. Ndoshta do ketë mbetur në sekretaritë e gjykatës, a gjithëkund tjetër, por vetëm në polici dhe institucione nuk ka shkuar”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se, kush e ka mbajtur këtë urdhër mbrojtje në sirtar është një dhunues institucional, që i hapi rrugë dhunuesit t’i merrte jetën një njeriu.

“Shpresoj të ketë hetim penal për cilindo përgjegjës që nuk ka bërë detyrën, me koston e madhe të një tjetër viktime të pafajshme nga dhuna në familje”, ka thënë Tahiri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB