Ngjarja e rëndë në Fier, Manjani: Hetim procesit të lëshimit të Urdhrave të Mbrojtjes

04/12/2016 00:00

Liljana Ruko, 43-vjeçarja nga Fieri humbi jetën pasditen e së shtunës, pasi është hedhur nga dritarja e tualetit të shtëpisë së saj, në katin e katërt.

Për këtë ngjarje të rëndë ditën e sotme reagoi edhe Majlinda Bregu duke i drejtuar disa pyetje ministrit të Drejtësisë. “Ky rast po më tmerron nga ky detaj: Urdhri i Mbrojtjes! Zoti ministër, kush është ai gjyqtar që paska lëshuar një Urdhër Mbrojtje që e lë burrin që gruaja e padit për dhunë, të jetojë në një shtëpi me të derisa ta hedhë nga ballkoni???? Nëse kjo është tërësisht e vërtetë, padinë për këtë gjyqtar, do ta bëj vetë!”.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministrit Manjani, i cili e cilësoi ngjarjen si tepër të rëndë aq sa i tejkalon kufijtë e njerëzores. Ai thotë se do të nisë gjatë ditës së nesërme një një proces hetimor Administrativ, për të sqaruar këto pyetje dhe të ndajë përgjegjësitë.

“Ndaj të njëjtat shqetësime me zonjën Bregu. Ngjarja është tepër e rëndë aq sa i tejkalon kufijtë e njerëzores! “Burrë-shtazë” që e ka kryer këtë krim meriton pa dyshim një ndëshkim mbi-njerëzor! Do të doja të kisha një informacion shterrues për pyetjet e zonjës Bregu, por në këtë moment pyetjet që ajo ngre janë edhe të miat. Pra pyetjet; Përse megjithë urdhrin e mbrojtjes e ndjera jetonte përsëri me burrin agresor?! Kush ka gabuar gjykata që ka lëshuar urdhrin apo zbatuesit e atij Urdhëri?! Megjithë statusin ende të paqartë ligjor, në këtë situatë post-reformë ( askush nuk e di tashmë nëse duhen zbatuar ligjet e reja, që kanë hyrë në fuqi, por nuk zbatohen dot, apo do vazhdohet me ligjet e vjetra!!), do te çel nesër një proces hetimor Administrativ, për të sqaruar këto pyetje. Në çdo rast ky hetim do sqarojë edhe përgjegjësitë përkatëse”, shkruan Manjani.

Më tej, ai thotë se i kërkon Prokurorisë së Fierit të përfshijë në hetim edhe procesin e lëshimit të Urdhrave të Mbrojtjes! “Prokuroria ka mundësinë ligjore të sqarimit dhe të veprimit të shpejtë për çdo person përgjegjës!”.

Në fund, ministri thotë se duhet mbyllur njëherë e mirë shtegu i “shtazve” që dhunojnë familjet e tyre! “Ska e smund të ketë mbrojtje për shtazët! Mbrotja është paraparë për njerëzit!

Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e jetës së një gruaje, nënë e dy fëmijëve!

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 15:45 në lagjen “Kryengritja e Fierit” dhe, sipas policisë, më herët kishte ndodhur një konflikt në familje mes 43-vjeçares dhe bashkëshortit të saj. E ndjera u dërgua me urgjencë për në spital, por për shkak të lëndimeve të rënda në trup humbi jetën pa mbërritur në duart e doktorëve.

Top Channel