Dhuna në familje, një viktimë në Fier. Dy të arrestuar

04/12/2016 00:00

Liljana Ruko, 43-vjeçarja nga Fieri humbi jetën pasditen e së shtunës, pasi është hedhur nga dritarja e tualetit të shtëpisë së saj, në katin e katërt.

Ngjarja ndodhi në orën 15:45 në lagjen “Kryengritja e Fierit” dhe, sipas policisë, më herët kishte ndodhur një konflikt në familje mes 43-vjeçares dhe bashkëshortit të saj.

E ndjera u dërgua me urgjencë për në spital, por për shkak të lëndimeve të rënda në trup humbi jetën pa mbërritur në duart e doktorëve.

Policia, ndërkohë ka shoqëruar bashkëshortin e saj 52-vjeçar, Ferdinant Rukaj, nën dyshimin se ka qenë ai që e ka hedhur bashkëshorten nga ballkoni. Ai akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier.

Ndërkohë, në Divjakë është arrestuar një tjetër shtetas për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Në pranga ka përfunduar 46-vjeçari Behar Fusha, banues në fshatin Çermë Sektor, i cili ka keqtrajtuar 44-vjeçaren Y. Fusha.

Top Channel