Ndërprerja e derbit; Demi kërkon fitore në tavolinë, Braçe fajëson FSHF

01/12/2016 00:00

Ndërprerja e ndeshjes për shkak të problemit në linjën e energjisë elektrike, është një rast i paprecedent në kampionatin shqiptar.

Vetë delegati i ndeshjes Lysjen Nyrishmi shpjegon rregulloren deri në vendimin e marrë për ndërprerjen e ndeshjes.

“Ka një rregullore që për shkak të ndonjë defekti teknik pritet për një farë kohe. Patëm mirëkuptimin e të dyjave skuadrave, duke sqaruar që ishte mirë të prisnim derisa defekti të rregullohej. Nuk u arrit. Ramë dakord që ndeshja të zhvillohet nesër në 14:00 me dritë diellore”, u shpreh Lysjen Nyrishmi, delegat i FSHF për ndeshjen.

Ndërkohë që presidenti i Partizanit, Gazmend Demi shprehet mjaft ashpër për këtë ngjarje, duke shkuar deri në kërkimin e marrjes së ndeshjes në tavolinë, pasi e ka cilësuar si dështim të përmbushjes së kushteve të një ndeshjeje nga organizatorët.

“Partizani ishte më i fortë. Për situatën e krijuar më vjen keq që ndodh kështu. Kjo s’ka logjikë. Fati i keq që është tek Tirana. Mos ketë një organizim, një gjenerator, një linjë të dytë. Në shtëpi po mbajmë linja të dyta. Për mua s’duhet të ketë ndeshje, duhet të marrim ndeshjen në tavolinë. Po ka FSHF, po ska të vazhdojnë”, shprehet President i Partizanit, Gazmend Demi.

Ndërkohë i cilësuar si kryetifozi i skuadrës së Partizanit, deputeti Erjon Braçe është edhe më i ashpër, duke shkuar nga aludimet për ndërprerjen e ndeshjes në momentin më të mirë të Partizanit, deri tek fajësimi i FSHF, për situatën kaotike të krijuar.

“Tani që u lajmërua se nuk do të luhet më ndeshja, drita ka. Mua më vjen keq që partizani ishte në momentin e tij më të mirë, u ndërpre ndeshja. Ky është stadiumi i vetëm në Tiranë. Ai gjenerator që Federata e mbante ta kalbet në shi te Stadiumi “Qemal Stafa”, mund të ishte këtu”, u shpreh Erjon Braçe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA