Policia e Tiranës ka finalizuar aksionin “Guida”, duke sekuestruar 55 kg kanabis sativa e duke vënë në pranga dy persona.
Të arrestuarit janë Fatjon Koxha dhe Jetmir Hida, të dy 22-vjeçarë dhe të dy banues në Zall të Fushë-Krujës.
Sipas policisë, arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pas një pune intensive 1-mujore. Në bazë të informacioneve, shtetasit e sipërpërmendur ndodheshin pranë mbikalimit të Kamzës, në sheshin ku autoshkollat praktikojnë parkimin, si dhe dyshohej se në automjetet e tyre kishin kanabis.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e Fatjon Koxhës, në bagazh, janë konstatuar 4 thesë të zinj me peshë rreth 30 kg, me kanabis, ndërsa në mjetin e shtetasit Jetmir Hida nuk janë konstatuar sende të kundraligjshme.
Në kontrollin e ushtruar në banesën e shtetasit Fatjon Koxha, në vende të ndryshme janë gjetur rreth 23 kg kanabis, si dhe një armë zjarri automatike, model 56.
Në banesëm e shtetasit Jetmir Hida, në njërën prej dhomave, janë gjetur rreth 2 kg kanabis.
Top Channel