Manchester United bëri një hap më pranë kualifikimit në fazën tjetër të Europa Ligës, pasi mundi 3-0 holandezët e Feyenoord në “Old Trafford”, një kundërshtar direkt që tani është prapa “djajve” në renditje. Rooney zhbllokoi shifrat pas një asisti të Ibrahimovic ndërsa holandezët u ndëshkuan më pas nga Juan Mata, dhe autogoli i Jones.
Fitore e rëndësishme edhe për Romën e cila triumfoi 4-1 ndaj Viktoria Plzen duke konsoliduar vendin e parë. Edin Dzeko shënoi 3 herë për vendasit por kryevepra e mbrëmjes dhe e gjithë javës, do të mbetet veprimi i klasit nga Perotti, një gol që impresionoi shikuesit.
Për thuajse një orë lojë Inter dominoi në transfertën ndaj Hapoel Beer Shevës në futbollin europian, por skuadra zikaltër shpërdoroi avantazhin komod duke humbur 3-2 ndaj izraelitëve dhe duke u eliminuar nga Europa Liga. Formacioni i trajnerit Pioli synoi dhe shpresoi shumë se do të fitonte sidomos në pushimin mes pjesëve, kur gëzoi pas golave të Ikarci dhe Brozovic.
Por fraksioni i dytë ishte një dështim total , kjo edhe falë përjashtimit të portierit Handanovic. Maranhao, Nwakaeme me një penallti dhe në kohën shtesë Sahar, ia dolën të zhvlerësojnë gjithçka kishin bërë italianët që lënë Europën në një katastrofë të merituar.
Ajax likuidoi 2-0 Panathinaikosin duke siguruar kualifikimin dhe vendin e parë. Në “Amsterdam Arena”, protagonistë për holandezët ishin Schone dhe Tete.
Fiorentina humbi 3-2 ndaj PAOK të Selanikut pikërisht kur po përgatitej të festonte kualifikimin në fazën tjetër. Skuadra nga Firence do të duhet të presë tashmë transferëtn në Azerbajxhan, ndaj Qarabagut të Ansi Agollit, aty ku do të mjaftojë një barazim për të kompletuar misionin.
Top Channel