Dua të të bëj të lumtur realizon ëndrrën e Aldës

21/11/2016 00:00

Alda, vogëlushja që jeta e ka vendosur para vështirësive është përballur me surpriza të bukura në “Dua të të bëj të lumtur”. Atë kanë zgjedhur ta bëjnë të lumtur motrat e saj.

Që në moshën dy vjeç Alda kurohej për një lloj të veçantë atriti dhe që prej asaj kohe i është dashur gjithmonë të jetë me ilaçe. Familja e saj u zhvendos nga Fushë Arrëzi në Durrës, për të qënë më afër spitalit për Aldën e vogël.

Dëshira e vogëlushes ishte të kishte një dhomë të bukur, dhe motrat e saj iu drejtuan Arbanës. Lot gëzimi kanë pushtuar tre motrat, teksa shihnin dhomën e re të realizuar nga emisioni “Dua të të bëj të lumtur”. Buzëqeshja, arma e fortë e vogëlushes prevalon mbi çdo sakrificë të saj dhe emisioni i fali shumë lumturi, por jo vetëm Aldës.

Një shtëpi e ngritur me sakrifica e mund, për shkak të të ardhurave të pakta financiare të familjes, dhe shpenzimeve të mëdha për kurimin e Aldës ishte pak e mobiluar, por e mbushur me një familje me shumë dashuri për njëri-tjetrin. “Dua të të bëj të lumtur”, transformoi të gjithë shtëpinë e Aldës në një ambient komod. “Kur unë të ndez një dritë, do ju kujtoj gjithmonë”, ka qënë falenderimi i Donikës, nënës së Aldës.

Top Channel